Një video e vitit 2024 ku shfaqet presidenti rus Vladimir Putin duke puthur librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, është bërë sërish virale në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit.
Pamjet janë regjistruar gjatë një vizite të Putinit në rajonin rus të Çeçenisë, ku ai ndaloi në një xhami të re në kryeqytetin Grozny. Gjatë ceremonisë, presidentit rus iu dhurua një kopje e zbukuruar e Kuranit. Në video ai shihet duke e marrë librin, duke e puthur dhe më pas duke e mbajtur në duar para kamerave.
Në vizitë ai shoqërohej nga lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, një aleat i ngushtë i Kremlinit. Kjo ishte vizita e parë e Putinit në rajon pas më shumë se një dekade.
Pamjet u shpërndanë gjerësisht në internet që në vitin 2024, por kanë nisur të qarkullojnë sërish së fundmi në platforma të ndryshme sociale, duke gjeneruar reagime të ndryshme nga përdoruesit.
