Në Kosovë po përgatitet një pako e re mbështetëse financiare për qytetarët, ku një nga masat më të përfolura është ndarja e 100 eurove për fëmijët – por kjo ndihmë pritet të jepet vetëm një herë dhe jo në baza mujore, raporton Gazeta Minuti.
Sipas burimeve të DP-së, kjo shumë synon të lehtësojë përkohësisht barrën financiare të familjeve, sidomos në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Megjithatë, theksohet qartë se bëhet fjalë për një mbështetje të vetme dhe jo për një pagesë të rregullt mujore.
—
Ndërkohë, në vend po zhvillohen diskutime intensive për përmbajtjen e plotë të pakos, e cila synon të zbusë ndikimin e vështirësive ekonomike tek qytetarët. Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se kjo pako do të përfshijë disa kategori përfituesish, nga fëmijët deri te pensionistët dhe punonjësit e sektorëve të ndryshëm.
Përveç ndihmës për fëmijët, në fokus mbetet edhe ndarja e një pensioni shtesë për pensionistët, të cilët konsiderohen ndër më të prekurit nga rritja e kostos së jetesës. Po ashtu, pritet që mbështetja të mos kufizohet vetëm në këtë kategori, por të zgjerohet edhe më tej.
Në kuadër të diskutimeve, përfshirja e punonjësve të sektorit privat shihet si një element i rëndësishëm i pakos. Sipas burimeve, po shqyrtohen forma të ndryshme të subvencionimit apo ndihmave financiare për këtë kategori, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe fuqisë blerëse.
Gjithashtu, masa të veçanta pritet të prekin edhe familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet më në nevojë, duke e shndërruar këtë paketë në një ndërhyrje më të gjerë në sistemin e mbështetjes sociale në vend.

Be First to Comment