Detaje të reja nga prapaskenat e marrëveshjes dyjavore të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iran hedhin dritë mbi një proces të mbushur me tension, presion dhe negociata të ethshme, ku vendimtare rezultoi ndërhyrja e udhëheqjes iraniane.
Sipas një raporti të Axios, udhëheqësi i ri i Teheranit, Mojtaba Khamenei, dha sinjalin vendimtar duke udhëzuar negociatorët të lëviznin drejt një marrëveshjeje, për herë të parë që nga nisja e konfliktit. Burimet theksojnë se pa “dritën jeshile” të tij, marrëveshja nuk do të ishte arritur.
Në të njëjtën kohë, situata në terren ishte pranë përshkallëzimit. Forcat amerikane në rajon dhe Pentagoni po përgatisnin një fushatë të gjerë bombardimesh ndaj infrastrukturës iraniane, ndërsa aleatët në Lindjen e Mesme prisnin një hakmarrje të mundshme nga Teherani. Një zyrtar amerikan e përshkroi situatën si “kaotike”.
Negociatat u intensifikuan të hënën, kur i dërguari amerikan Steve Witkoff refuzoi një kundërpropozim iranian duke e quajtur atë “katastrofë”. Pas një dite të mbushur me rishikime dhe ndërmjetësime nga vende si Pakistani, Egjipti dhe Turqia, palët arritën në një draft të ri kompromisi.
