Pas një muaji të shenjtë të mbushur me agjërim, përkushtim dhe pastrim shpirtëror, besimtarët myslimanë kremtuan sot Fitër Bajramin me ndjenja mirënjohjeje dhe paqeje në zemër. Që në orët e para të mëngjesit, mijëra besimtarë u mblodhën në sheshet kryesore të qyteteve për të falur namazin e Bajramit, një moment i veçantë që bashkon komunitetin në adhurim dhe reflektim. Atmosfera në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ishte e mbushur me qetësi, përulësi dhe dashuri për njëri-tjetrin, ndërsa lutjet drejtoheshin për mëshirë, falje dhe mirësi për të gjithë njerëzimin.
Në kryeqytet, qindra e mijëra qytetarë iu drejtuan që në orët e para të mëngjesit Sheshit “Skënderbej”, ku u organizua ceremonia qendrore e faljes nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Programi nisi rreth orës 06:45 me leximin e ajeteve nga Kurani dhe ligjëratën përkatëse, ndërsa më pas besimtarët kryen faljen e Bajramit. Ndërkohë, vizitat tradicionale në selinë e KMSH-së janë parashikuar të zhvillohen në intervalin 09:00–12:00.

Be First to Comment