Kriza energjetike i ka rritur ndjeshëm çmimet dhe u ka dhënë një goditje të re qytetarëve. Njoftimet janë se në disa qytete në Maqedoni buka dhe produktet e bardha të furrës tashmë janë shtrenjtuar për të paktën 10 për qind, ndërsa çmimet e perimeve dhe frutave në tregje “po digjen” në prag të Pashkëve, duke i lënë blerësit me një shportë gjithnjë e më të varfër.
Rritje nga 3 deri në 5 denarë
Disa furra buke në Shtip, Koçan, si dhe në Prilep dhe Manastir kanë paralajmëruar rritje të çmimit të bukës së bardhë. Buka prej 450 gramësh, që deri tani shitej për 35 denarë, si dhe buka standarde “tip 500”, do të arrijë çmimin 40 denarë për një copë.
Buka e bardhë e prerë në disa dyqane tashmë shitet me çmim 40 denarë. Njoftimet e mëparshme ishin se buka standarde “tip 500”, që kushtonte 30 denarë, do të shtrenjtohej për 3 deri në 5 denarë, pra do të arrinte në 33 deri në 35 denarë.
Goran Malishiq, kryetar i Grupacionit të industrisë mulliri-furrë pranë Odës Ekonomike, deklaroi për mediat se çdo furrë vendos vetë nëse do t’i rrisë çmimet për shkak të kostove të rritura apo do t’i mbajë të njëjta.
Pagat dhe pensionet nuk e ndjekin rritjen e kostos së jetesës
Në mars, me vendim të Qeverisë, pensionet u rritën në mënyrë lineare për 1.000 denarë, ndërsa me harmonizimin ligjor pagat u rritën rreth 1.600 denarë. Megjithatë, sindikatat dhe opozita reagojnë se këto rritje nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e jetesës, të cilat po rriten nga muaji në muaj.
“Sa duhet të shtrenjtohet buka që Kryeministri Hristijan Mickoski të ndërmarrë masa?”, pyesin nga LSDM, duke theksuar se Qeveria vazhdimisht deklaron se po e ndjek situatën dhe nuk ka nevojë për masa urgjente.
“Paralajmëruam se rritja e çmimeve të naftës do të shkaktojë shtrenjtimin e të gjitha produkteve bazë ushqimore. Dhe kjo ndodhi – po shtrenjtohen buka, vaji, vezët, qumështi, frutat dhe perimet. Rritjet variojnë nga 5 deri në 300 për qind”, thonë nga LSDM.
Sipas tyre, qytetarët mezi po ia dalin, ndërsa as 600 euro në muaj nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet bazë. Rritja e pagës minimale prej 1.667 denarësh, sipas tyre, nuk ka vlerë reale.
Shporta sindikale arrin gati 68.000 denarë
Për vetëm tre muaj, rritja e re e çmimeve arrin rreth 2.326 denarë, ndërsa vlera e shportës minimale sindikale në mars ka arritur pothuajse 68.000 denarë.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, së fundmi vlerësoi se masat e ndërmarra nga Qeveria për stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit jetësor po japin rezultate. Ai theksoi se shteti ka reaguar me kohë duke ulur TVSH-në për naftën nga 18 në 10 për qind dhe me monitorim të vazhdueshëm të çmimeve të produkteve ushqimore.
Sipas Durmishit, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka angazhuar 30 ekipe mobile për të parandaluar abuzimet e mundshme.

Be First to Comment