Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një intervistë telefonike me Bret Baier për Fox News konfirmoi se vendi i tij është i gatshëm të kryejë sulme të fuqishme ndaj Iranit nëse afati i tij deri në orën 20:00 të së martës nuk përmbushet.
“Fola sapo në telefon me presidentin dhe e pyeta: ‘Dëgjo, nëse duhet të bësh një vlerësim, cilat janë gjasat që kjo të përfundojë me negociata?’ Ai tha se nuk dëshiron të japë vlerësime. Por tha: ‘Do të ndodhë në orën 20:00’”, tha Baier, duke treguar bisedën me presidentin.
“Ai tha se nëse arrijmë në atë pikë, do të ketë një sulm që nuk është parë më parë. Për momentin, ai qëndron pas kësaj. Gjithashtu tha se kjo mund të ndryshojë nëse negociatat vazhdojnë sot dhe nëse ka diçka konkrete. Por në këtë moment nuk donte të jepte vlerësime. Megjithatë, tha se po vazhdojmë me planet që kemi. Kjo është një gjë e madhe”, shtoi Baier.
Trump më tej i rriti tensionet ndaj Iranit me mesazhin se afati i së martës në orën 20:00 sipas kohës lindore mbetet në fuqi, duke paralajmëruar se nëse Teherani nuk ofron “diçka konkrete”, mund të pasojë një sulm “siç nuk është parë më parë”.
Sipas Reuters, administrata amerikane kërkon që Irani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit. Irani tashmë është përgjigjur duke ndërprerë të gjitha negociatat me SHBA-në dhe duke u bërë thirrje qytetarëve të krijojnë “mburoja njerëzore” rreth objekteve energjetike.
