Mon. Apr 20th, 2026

Çfarë po ndodhë? A po tërhiqet SHBA nga Kosova – ja e vërteta

Uashingtoni synon të zvogëlojë varësinë e Bashkimit Evropian nga kapacitetet mbrojtëse dhe mbrojtja e SHBA-së, ndërsa pretendimet se Amerika do të ulë praninë në Kosovë përbëjnë një mesazh për Brukselin që të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit dhe brenda NATO-s, thonë bashkëbiseduesit e Kosovo online. Një skenar i tillë, paralajmërojnë ata, mund të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por theksojnë se KFOR-i do të ruante praninë e tij dhe do të vazhdonte të funksiononte me riorganizim të trupave.

Shkruan: Jellena Novakov

Portali brukselas “Politico” raportoi së fundmi, duke iu referuar burimeve të paemëruara, se SHBA do të kërkojë zvogëlimin e misioneve të NATO-s, përfshirë edhe në Kosovë. Këto pretendime më pas u mohuan nga Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të SHBA-së, si dhe nga zyrtarë të paemëruar të Pentagonit dhe NATO-s.

Mundësinë e ndryshimeve në përbërjen e KFOR-it e mohoi edhe komandanti Ozkan Ulutaş, i cili tha se aktualisht nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme në KFOR dhe se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetjen e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.

Analistët kujtojnë se presidenti amerikan Donald Trump që nga fillimi i mandatit të tij të dytë ka rritur presionin ndaj aleatëve, përfshirë Bashkimin Evropian, që të marrin më shumë përgjegjësi sa i përket sigurisë dhe financimit të mbrojtjes. Vitin e kaluar ai kërkoi gjithashtu që çdo vend anëtar i NATO-s të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në pesë për qind të PBB-së nga dy për qind sa ishte më parë, edhe pse as vetë SHBA-të nuk e përmbushin këtë kusht.

Bashkimi Evropian u përgjigj me një plan armatimi në vlerë prej 800 miliardë eurosh, me paralajmërime për strategji për arritjen e pavarësisë teknologjike nga SHBA-të, si dhe me rikthimin e agjendës së zgjerimit në fokus.

Ndërkohë, në Ballkanin Perëndimor po ndodhin ndryshime në situatën e sigurisë, ndërsa udhëheqja shtetërore serbe dhe Kolegji i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm kanë shprehur shqetësimin se aleanca ushtarake e Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është e drejtuar kundër Serbisë dhe paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, por edhe atë më të gjerë rajonale. Edhe pse zyrtarët shqiptarë, kroatë dhe kosovarë e kanë mohuar se kjo aleancë është e drejtuar kundër ndonjë shteti, bashkëbiseduesit e Kosovo online paralajmërojnë se një prani e reduktuar e SHBA-së në Kosovë do të përbënte gjithsesi rrezik shtesë si për Serbinë ashtu edhe për stabilitetin e rajonit.

Koloneli amerikan në pension Ray Wojcik, i cili më parë ka shërbyer si drejtues i Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje në ambasadën amerikane në Prishtinë, paralajmëroi gjithashtu se çdo ndryshim i papritur në praninë e SHBA-së në Kosovë do të çonte në destabilizim, por vlerësoi se kjo do të krijonte hapësirë për zgjerimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, SHBA-të po rishqyrtojnë pozicionin e tyre ushtarak në botë, për çka është e nevojshme që aleatët evropianë në NATO të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen kolektive në kontinent. Megjithatë, Wojcik vlerëson se prania e SHBA-së në Kosovë është faktor kyç i parandalimit, duke shtuar se një reduktim i madh i trupave amerikane do të ndikonte më shumë në aftësinë për parandalimin e krizave dhe reagimin e shpejtë sesa në sigurinë e përditshme.

Përgjegjësia e SHBA-së dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor

Hulumtuesi i studimeve të sigurisë Nikolla Vujinoviq gjithashtu konsideron se pretendimet për tërheqjen e amerikanëve janë përpjekje për ta shtyrë Bashkimin Evropian të marrë më shumë përgjegjësi në kontinent dhe brenda NATO-s.

“SHBA-të duan rikonfigurimin e marrëdhënieve në Evropë. Duan që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi, rrjedhimisht, në të gjitha pikat ku ata ndodhen në Evropë, ata (SHBA-të) insistojnë që evropianët të marrin barrë më të madhe”, tha ai për Kosovo online.

By N K

Related Post