Në shëtitoren buzë liqenit në Pogradec, ndërsa fëmijët festonin dhe luanin për Ditën e Verës, mes zhurmës dhe gëzimit të tyre, binte në sy një djalë i vogël me një qese lajthish në dorë. Nuk qeshte si të tjerët. Nuk luante. Ai punonte.
Quhej Eduard. Vetëm 13 vjeç.
Kur u pyet pse shiste lajthi në atë moshë, përgjigjja e tij ishte aq e thjeshtë, por aq e rëndë sa të ndalte frymën:
“Babi më ka ndërruar jetë. Mamin e kam të sëmurë nga koka. Unë shkoj në shkollë dhe pas shkolle dal e shes lajthi. Lekët ia çoj mamit për ilaçe.”
Eduardi e bën këtë prej disa vitesh. Ditën në bankat e shkollës, ndërsa pasditeve në rrugë duke shitur lajthi për të mbajtur shtëpinë. Një fëmijë që në vend të lodrave mban përgjegjësi mbi supe.
Kur një nga të pranishmit i dha disa para për lajthitë, djali nisi t’i numëronte me kujdes dhe me turp tha:
“Nuk kam kaq shumë lajthi…”
Por përgjigjja që mori ishte ajo që ndoshta meriton çdo fëmijë që lufton me jetën para kohe:
“Mbaji lekët. Mos ki turp që punon. Ti nuk je thjesht fëmijë… je burrë.”
Eduardi u largua me kokën ulur dhe me disa qese lajthi në dorë. Nuk kishte shokë përreth. Nuk kishte lodra. Kishte vetëm përgjegjësi.
Në një ditë feste për fëmijët, ai na kujtoi diçka shumë të rëndësishme:
Ka fëmijë që rriten shumë shpejt… sepse jeta nuk u lë kohë të jenë thjesht fëmijë.
Nga Xhensil Shkembi

Be First to Comment