ALARM ENERGJETIK NË EVROPË: QYTETARËT TË QËNDROJNË NË SHTËPI – KRIZË QË MUND TË PARALIZOJË EKONOMINE
Evropa po përballet me një krizë serioze energjetike që rrezikon të ketë pasoja të ngjashme me pandeminë apo fillimin e luftës në Ukrainë. Nga Brukseli është dhënë një thirrje urgjente për qytetarët që të punojnë nga shtëpia, të përdorin më pak automjetet dhe të kufizojnë udhëtimet.
Komisioneri evropian për energji, Dan Jørgensen, pas një takimi emergjent të ministrave të energjisë së BE-së, theksoi se situata është “shumë serioze” dhe se nuk pritet zgjidhje e shpejtë.
“Edhe nëse paqja arrihet menjëherë, Evropa nuk do të rikthehet shpejt në normalitetin e mëparshëm”, deklaroi ai, duke nënvizuar se ulja e konsumit të karburanteve është thelbësore.
Ndër masat e propozuara janë puna nga shtëpia aty ku është e mundur, ulja e shpejtësisë në autostrada, përdorimi më i madh i transportit publik dhe ndarja e automjeteve. Në të njëjtën kohë, BE-ja synon të përshpejtojë zhvillimin e burimeve të rinovueshme për të arritur pavarësi energjetike.
Kriza është pasojë direkte e luftës në Gjirin Persik, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin global me energji. Një faktor kyç është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit në botë.
Efektet tashmë janë të dukshme: çmimet e energjisë janë rritur deri në 70 për qind, ndërsa furnizimi po bëhet gjithnjë e më i pasigurt. Përpjekjet e BE-së për t’u mbështetur te furnizues alternativë si SHBA, Norvegjia dhe Algjeria nuk po japin rezultatet e pritura, pasi tregjet aziatike po blejnë agresivisht sasi të mëdha energjie.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa serioze mund të ndihen brenda pak javësh. Më të goditurit janë dizeli dhe karburanti për avionë, duke rrezikuar sektorin e transportit dhe aviacionit.
Çmimet e karburantit të avionëve janë më shumë se dyfishuar, duke çuar në rritje të çmimeve të biletave dhe mundësi për reduktim të fluturimeve. Disa kompani ajrore po shqyrtojnë uljen e operacioneve.
Kriza po reflektohet edhe në industri, ku sektorët kimik, metalurgjik dhe bujqësor po përballen me kosto të rritura. Si pasojë, produktet bazë dhe ushqimet po shtrenjtohen ndjeshëm.
Ekonomistët paralajmërojnë për një valë të re inflacioni dhe rrezik të stagflacionit – kombinim i rritjes së dobët ekonomike dhe çmimeve të larta. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike mund të bjerë në rreth 1 për qind, ndërsa inflacioni mund të detyrojë Bankën Qendrore Evropiane të rrisë normat e interesit.
Situata mbetet e paqartë dhe javët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse Evropa do të arrijë të shmangë skenarin më të keq.

Be First to Comment