Protesta para Kryeministrisë, qytetarja akuzon Berishën për vitin 1997: “Mos harroni hapjen e depove të armëve”
Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, një qytetare ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e lidhur atë me ngjarjet tragjike të vitit 1997.
Në fjalën e saj para protestuesve, ajo deklaroi se shqiptarët kanë kaluar periudha të vështira dhe përmendi trazirat e vitit 1997, duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha për përgjegjësi politike.
“Jemi rritur me diktatura të ashpra, jemi rritur në kohën e Sali Berishës. Nënat janë veshur me shami të zeza. Mos harroni vitin 1997, hapjen e depove dhe pasojat që solli për familjet shqiptare. Duhet të jemi të gjithë bashkë”, u shpreh protestuesja.
Protesta e radhës para Kryeministrisë u zhvillua një ditë pas përplasjes pranë komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku pati dëmtime të ambienteve të policisë. Tubimi u përqendrua te fjalimet e protestuesve të liruar nga gjykata pas ndalimeve të kryera gjatë protestës së mëparshme.
Mes tyre folën edhe disa nga personat e liruar, të cilët pretenduan se ishin përballur me dhunë gjatë shoqërimit nga policia.
“Jemi përballur me dhunë të madhe. Këta djem nuk janë huliganë, por njerëz që kërkojnë demokraci”, deklaroi Albion Nikolli.
Ndërsa Arbër Lleshi u shpreh se protesta lidhet me kundërshtimin e asaj që ai e cilësoi si “dhunë policore” dhe kërkoi reagim qytetar.
Në tubim morën fjalën edhe përfaqësues të diasporës, të cilët theksuan rolin e emigrantëve në zhvillimin ekonomik të vendit dhe bënë thirrje për bashkim politik.
“Bota ka kthyer sytë nga ne. Duhet të tregojmë se duam demokracinë dhe ndryshimin”, tha një prej pjesëmarrësve.
Ndërkohë, disa protestues ngritën edhe idenë e krijimit të një force të re politike, duke kërkuar organizim përtej protestave.
“Ky shesh duhet të shërbejë për krijimin e një poli të tretë politik. Është momenti që intelektualët dhe qytetarët të reagojnë”, u shpreh një protestuese.
Në fund të tubimit u lexuan edhe pesë kërkesat e prezantuara më herët nga organizatorët, ndërsa më pas protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës. Këtë herë, ata deklaruan se marshimi iu dedikua dy protestuesve ndaj të cilëve gjykata kishte vendosur masën e arrestit në shtëpi.
Be First to Comment