Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve ekonomike në vend, duke theksuar se rritja e çmimeve po rëndon çdo ditë jetën e qytetarëve të Kosovës.
Ajo ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ndërsa ai prezanton “stabilitet ekonomik” në arenën ndërkombëtare, realiteti në vend është krejtësisht ndryshe. Sipas Bajramit, të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se inflacioni në muajin mars ka arritur në 6.7%.
“6.7% është vetëm mesatarja e rritjes së çmimeve krahasuar me vitin e kaluar, por qytetarët e dinë shumë mirë se në praktikë rritja është shumë më e lartë”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka renditur disa nga sektorët ku rritja është më e theksuar:
Shërbimet për pajisjet e transportit: +42.5%
Biletat e fluturimeve: +38.4%
Furnizimi me ujë dhe shërbimet e banimit: +31.9%
Energjia dhe karburantet: +17.4%
Lëndët djegëse (dru, pelet): +15.6%
Pemët: +13.1%
Mishi: +12.4%
Kafe, çaj dhe kakao: +7.8%
Sipas saj, kjo situatë përbën një krizë të rëndë ekonomike, pasi pothuajse çdo produkt bazik është shtrenjtuar, duke detyruar qytetarët të heqin dorë nga nevojat elementare.
Ajo theksoi gjithashtu se, paralelisht me rritjen e çmimeve, rriten edhe të hyrat e Qeverisë nga tatimet mbi këto produkte.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar mungesën e masave konkrete nga Qeveria, duke shtuar se edhe pse një pjesë e inflacionit lidhet me krizat globale, institucionet vendore nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta zbutur ndikimin.
“Çmimet nuk ulen me ligjërata, por me mbështetje të prodhimit vendor dhe politika që ulin varësinë nga importi”, ka theksuar Bajrami.
Në fund, ajo ka akuzuar kryeministrin Kurti për mungesë të fokusit në problemet reale të qytetarëve, duke thënë se përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve, deklaratat për stabilitet ekonomik nuk përputhen me gjendjen në terren.

Be First to Comment