Kremlini ka deklaruar sot se mbetet i hapur për negociata me Ukrainën, por ka shtuar se i nevojitet kohë për të analizuar deklaratat serioze të bëra nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Trump i kishte dhënë Rusisë një ultimatum 50-ditor për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, duke premtuar gjithashtu dërgimin e armëve për Kievin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se deklaratat e Presidentit Trump janë shumë serioze dhe se Rusia ka nevojë për kohë për të analizuar ato që u thanë në Uashington. Peskov shtoi se nëse Presidenti Putin e konsideron të nevojshme, ai do të komentojë në lidhje me këtë çështje.
Peskov kritikoi gjithashtu vendimin e marrë në Uashington, në vendet e NATO-s dhe në Bruksel, duke sugjeruar se ai mund të perceptohet nga Kievi si një sinjal për të vazhduar luftën dhe jo si një nxitje për paqe.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit pohoi se Rusia është në pritje të propozimeve nga pala ukrainase në lidhje me një raund të tretë negociatash, pas dy seancave të mëparshme të pasuksesshme në Stamboll. “Ne mbetemi të gatshëm,” – tha ai gjatë informimit të tij të përditshëm.
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ka shprehur dëshirën për të nxitur një marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit. Ai madje gjatë fushatës së tij elektorale kishte siguruar se mund ta përfundonte konfliktin shumë shpejt. Pavarësisht afrimit të mëparshëm me Vladimir Putinin, Trump ka ndryshuar tonin e tij së fundmi, duke shprehur zhgënjimin nga refuzimi i presidentit rus për propozimet e armëpushimit.
Trump dje në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditëve, Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa dytësore” kundër aleatëve të Moskës.