Skip to content

Por, në kundërshtim me këtë retorikë triumfuese, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), Rafael Grossi, ka dhënë një version të ndryshëm të realitetit.

Në një intervistë për CBS, Grossi deklaroi se vetëm autoritetet iraniane kanë një ide të qartë për dëmet reale në impiantet bërthamore dhe se “nuk mund të thuhet se gjithçka është zhdukur”. Ai shtoi se Teherani ende ruan “kapacitete industriale dhe teknologjike” për të rivendosur brenda pak muajsh një cikël funksional për pasurimin e uraniumit.

Sipas AIEA, një ditë para sulmeve, Irani kishte nisur transferimin e materialit bërthamor për ta vendosur në siguri. Vlerësimet e Grossit përputhen edhe me analizat paraprake të inteligjencës amerikane dhe evropiane, si dhe me raportin e paraqitur në Kongres nga gjenerali Dan Caine, i cili pohoi se edhe pse tre impiantet kryesore janë goditur rëndë, ende nuk është e qartë nëse centrifugat apo uraniumi i pasuruar janë zhvendosur në zona të tjera.

Sipas “Washington Post”, inteligjenca amerikane ka përgjuar biseda mes zyrtarëve iranianë të cilët janë shprehur të habitur nga “intensiteti më i ulët se pritej” i sulmeve amerikane. Administrata Trump nuk i ka mohuar këto përgjime, por i ka kundërshtuar përfundimet e tyre.

Megjithatë, analistët bien dakord se pajisjet e impiantit të Isfahanit, të nevojshme për fazën e metallizimit, hap i rëndësishëm drejt prodhimit të një arme bërthamore janë shkatërruar, gjë që mund të vonojë ndjeshëm militarizimin e programit iranian.

Agjencia ndërkombëtare bërthamore thekson se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë me mjete ushtarake. Trump ka deklaruar se “nëse Teherani do të sillet në mënyrë paqësore, do të revokojë sanksionet”, por autoritetet iraniane nuk kanë besim.

Shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, Abdolrahim Mousavi, ka paralajmëruar se janë gati të kundërpërgjigjen me forcë nëse armëpushimi nuk respektohet.

Në shenjë proteste, parlamenti iranian ka pezulluar bashkëpunimin me AIEA, ndërsa gazeta e afërt me udhëheqësin suprem Khamenei, “Kayhan”, ka kërkuar që Grossi të ndiqet penalisht për “spiunazh për Mossadin”.

Në këtë klimë tensioni, Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e ri iranian, Pezeshkian. Franca kërkon lirimin e dy shtetasve të saj të burgosur në Iran, por Macron nënvizoi gjithashtu nevojën për t’u rikthyer në tryezën e negociatave për çështjet bërthamore dhe raketat balistike.

Ndërsa Pezeshkian shfaqet i hapur ndaj dialogut, fraksionet më radikale të regjimit e refuzojnë kategorikisht. /tvklan.al

Published inUncategorized