Arabia Saudite i ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë zyrtarëve iranianë në Teheran muajin e kaluar, duke i nxitur të marrin seriozisht ofertën e Presidentit amerikan Donald Trump për të negociuar një marrëveshje bërthamore. Sipas Arabisë Saudite, kjo ofertë paraqet një mënyrë për të shmangur rrezikun e luftës me Izraelin.
I shqetësuar nga perspektiva e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në rajon, Mbreti 89-vjeçar i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, dërgoi djalin e tij, Princin Khalid bin Salman, me paralajmërimin e destinuar për Liderin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Këtë informacion e kanë konfirmuar dy burime nga Gjiri Persik pranë rretheve qeveritare dhe dy zyrtarë iranianë.
Arabia Saudite i ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë zyrtarëve iranianë në Teheran muajin e kaluar, duke i nxitur të marrin seriozisht ofertën e Presidentit amerikan Donald Trump për të negociuar një marrëveshje bërthamore. Sipas Arabisë Saudite, kjo ofertë paraqet një mënyrë për të shmangur rrezikun e luftës me Izraelin.
I shqetësuar nga perspektiva e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në rajon, Mbreti 89-vjeçar i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, dërgoi djalin e tij, Princin Khalid bin Salman, me paralajmërimin e destinuar për Liderin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Këtë informacion e kanë konfirmuar dy burime nga Gjiri Persik pranë rretheve qeveritare dhe dy zyrtarë iranianë.
Në takimin e mbyllur në Teheran, i cili u zhvillua më 17 prill në kompleksin presidencial, ishin të pranishëm Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Mohammad Bagheri dhe Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, thanë burimet.
Ndërsa mediat e mbuluan vizitën e princit 37-vjeçar, përmbajtja e mesazhit sekret të Mbretit Salman nuk ishte raportuar më parë. Princi Khalid, i cili ishte ambasador i Arabisë Saudite në Uashington gjatë mandatit të parë të Trumpit, paralajmëroi zyrtarët iranianë se udhëheqësi amerikan ka pak durim për negociata të zgjatura, sipas burimeve.
Trump kishte njoftuar në mënyrë të papritur pak më shumë se një javë më parë se po zhvilloheshin bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin, me synim frenimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Ai e bëri këtë në prani të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kishte udhëtuar në Uashington duke shpresuar në mbështetje për sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane. Në Teheran, Princi Khalid i tha grupit të zyrtarëve të lartë iranianë se ekipi i Trumpit do të donte të arrinte një marrëveshje shpejt, dhe dritarja për diplomaci do të mbyllej shpejt, sipas burimeve.
Ministri saudit tha se do të ishte më mirë të arrihej një marrëveshje me SHBA-në sesa të përballej me mundësinë e një sulmi izraelit nëse bisedimet dështonin, sipas burimeve nga Gjiri Persik. Ai argumentoi se rajoni, tashmë i përçarë nga konfliktet e fundit në Gaza dhe Liban, nuk mund t’i rezistonte një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve, thanë burimet nga Gjiri Persik dhe një diplomat i lartë i huaj i njohur me diskutimet.
Autoritetet iraniane nuk iu përgjigjën një kërkese për koment përpara publikimit të këtij lajmi, por pas publikimit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei “kategorikisht e mohoi” raportin, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Fars. Autoritetet në Arabinë Saudite nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Vizita e Princit Khalid, vëllai më i vogël i Princit të Kurorës Mohammed Bin Salman, ishte e para e një anëtari të lartë të familjes mbretërore saudite në Iran në më shumë se dy dekada. Riadhi dhe Teherani kishin qenë prej kohësh rivalë të ashpër, shpesh duke mbështetur palë kundërshtare në luftëra me prokurë, derisa një afrim i ndërmjetësuar nga Kina në vitin 2023 ndihmoi në lehtësimin e tensioneve dhe rivendosi lidhjet diplomatike.
Gjatë dy viteve të fundit, pozicioni rajonal i Iranit është minuar nga goditje të rënda ushtarake të shkaktuara nga Izraeli kundër aleatëve të tij Hamas në Gaza dhe Hezbollah në Liban, dhe rrëzimi i aleatit të tij të ngushtë, diktatorit sirian Bashar al-Assad. Ndërkohë, sanksionet perëndimore kanë goditur rëndë ekonominë e tij të varur nga nafta.
Mohanad Hage Ali, një ekspert për Iranin në think tank-un Carnegie Middle East Center në Bejrut, tha për Reuters se dobësia e Teheranit i kishte ofruar Arabisë Saudite mundësinë të ushtronte ndikimin e saj diplomatik, duke kërkuar të shmangte një shpërthim rajonal. “Ata (sauditët) duan të shmangin luftën sepse lufta dhe konfrontimi me Iranin do të kenë implikime negative mbi ta dhe vizionin e tyre ekonomik dhe ambiciet,” i tha ai Reuters.
Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte ndikimin e mesazhit të princit në udhëheqjen iraniane. Në takim, Pezeshkian u përgjigj se Irani dëshironte një marrëveshje për të lehtësuar presionin ekonomik përmes heqjes së sanksioneve perëndimore, thanë burimet. Megjithatë, zyrtarët iranianë, shtuan burimet, shprehën shqetësime për qasjen “të paparashikueshme” të administratës Trump ndaj negociatave, të cilat kishin ndryshuar nga lejimi i pasurimit të kufizuar të uraniumit në kërkimin e çmontimit të plotë të programit të pasurimit të Teheranit. Trump gjithashtu ka kërcënuar të përdorë forcën ushtarake nëse diplomacia dështon të frenojë ambiciet bërthamore të establishmentit klerikal.
Një nga zyrtarët iranianë tha se Pezeshkian theksoi gatishmërinë e Teheranit për të arritur një marrëveshje, por se Irani nuk ishte i gatshëm të sakrifikonte programin e tij të pasurimit vetëm sepse Trump dëshironte një marrëveshje. Bisedimet e vazhdueshme midis Uashingtonit dhe Teheranit tashmë kanë kaluar nëpër pesë raunde për të zgjidhur mosmarrëveshjen bërthamore shumëvjeçare, por mbeten pengesa të shumta, duke përfshirë çështjen kryesore të pasurimit. Reuters raportoi të mërkurën se Irani mund të ndalojë pasurimin e uraniumit nëse SHBA liron fondet e tij të ngrira dhe njeh të drejtën e tij për të rafinuar uranium për përdorim civil nën një “marrëveshje politike” që mund të çojë në një marrëveshje më të gjerë bërthamore, sipas dy burimeve iraniane të njohura me bisedimet. Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars në Iran citoi një zëdhënës të ministrisë së jashtme duke e mohuar raportin. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të Reuters nëse ishte në dijeni të paralajmërimit saudit ndaj Iranit.
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë: arrihet një marrëveshje, ose përballeni me pasoja të rënda, dhe e gjithë bota po e merr seriozisht, siç duhet,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt në një deklaratë. Trump tha të mërkurën se ai e paralajmëroi Netanyahun javën e kaluar të mos ndërmerrte ndonjë veprim që mund të prishë bisedimet bërthamore me Iranin, dhe tha se të dy palët ishin “shumë afër një zgjidhjeje tani”. Autoritetet izraelite nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Në takim, Princi Khalid i kërkoi Iranit të rimendonte politikën e tij rajonale, duke vënë në dukje se një ndryshim i tillë do të mirëpritej, veçanërisht nga Riadhi, thanë burimet. Edhe pse ai nuk fajësoi drejtpërdrejt Iranin, ministri saudit shprehu shqetësim për një përsëritje të mundshme të sulmeve me dronë në vitin 2019 mbi objektet e kompanisë shtetërore të naftës Aramco – sulme që mbretëria i atriboi Iranit dhe aleatëve të tij Huthit, pavarësisht mohimit të Teheranit. Zyrtarët iranianë pohuan se ndërsa Teherani ka njëfarë ndikimi mbi Huthit, ai nuk i kontrollon plotësisht veprimet e tyre, thanë burimet iraniane.
Princi Khalid i lutu të mos ndërmerrnin veprime ata dhe aleatët e tyre që mund të provokojnë Uashingtonin, duke theksuar se përgjigja e Trumpit ka të ngjarë të jetë më e ashpër se ajo e paraardhësve të tij, presidentëve Joe Biden dhe Barak Obama. Nga ana tjetër, ai siguroi Teheranin se Riadhi nuk do të lejonte që territori apo hapësira e tij ajrore të përdoren nga Shtetet e Bashkuara apo Izraeli për ndonjë veprim të mundshëm ushtarak kundër Iranit, thanë burimet.