Shqipëria e siguroi dhe Kosova mbrem e ka siguruar për herë të parë në histori kualifikimin në Play Off-in e Botërorit 2026.
Por për të gjithë ata që shqetësoheshin se dy kombëtaret shqiptare mund të përballeshin mes tyre në fazën vendimtare, tashmë kjo mundësi është zyrtarisht e përjashtuar. Sipas faqeve ndërkombëtare që analizojnë formatet e kualifikimeve, si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë përfunduar në Pot 3
një pozicion që nuk ndryshon, pavarësisht rezultateve të mbetura.
Çfarë do të ndodhë në Play Off?
Të dyja kombëtaret do të duhet ta luajnë takimin e parë në transfertë, ndaj një skuadre të Pot 2, ku bëjnë pjesë:
▪️ Uellsi ▪️ Hungaria ▪️ Skocia ▪️ Çekia
Nëse fitojnë, rruga vazhdon me një sfidë edhe më të vështirë kundër një ekipi të Pot 1:
▪️ Italia ▪️ Turqia ▪️ Ukraina ▪️ Polonia
Përballja Shqipëri–Kosovë, zyrtarisht e pamundur
Meqë të dyja përfundojnë në të njëjtin pot, një duel mes Shqipërisë dhe Kosovës në Play Off nuk mund të ndodhë. Kështu shmanget një përballje tepër delikate emocionalisht, që shumica e tifozëve nuk e dëshironin.
Ky zhvillim vjen si një lajm i mirë për të dyja palët, pasi u jep mundësinë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre historik drejt Botërorit, pa u detyruar të ndeshen me njëra-tjetrën.