Pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale dhe janë shpërndarë nga një dyqan amerikan që merret me modifikime të supermakinave. Ky dyqan, që promovon slogane si ‘Ndalo së qeni i ngadaltë’, ka pajisur Lamborghinin me modifikime shtesë, ndonëse fuqia origjinale prej 700 kuaj fuqi nuk ka qenë e mjaftueshme për shoferin e saj.
Makina ishte pjesë e një turneu luksoz të supermakinave që kaloi përmes Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë gjatë datave 13-18 korrik. Ajo u vu re në disa nga rrugët më të frekuentuara të vendit, duke shkaktuar rrezik për drejtuesit e tjerë të automjeteve dhe për këmbësorët.
Sipas deklaratave nga Autogalerie Bellevue në Meilen, kompania që e ka shitur automjetin, makina ishte dhënë me qira për dy javë dhe është shitur rreth një javë më parë. Pamjet tregojnë ende kornizën me emrin e galerisë zvicerane, çka ka sjellë reagim të ashpër nga menaxhmenti i saj.
‘Ne e dënojmë këtë stil drejtimi dhe distancohemi zyrtarisht prej tij,’ u shpreh bashkëdrejtori Bruno Da Costa. ‘Ky është një lloj reklamimi shumë i keq për ne. Do të kontaktojmë menjëherë pronarin për të hequr kornizën me logon tonë.’