“Kushtet atmosferike gjatë kësaj jave do të vijojnë të jenë të qëndrueshme, me temperatura të larta, sidomos në orët e mesditës. Sot pritet që termometri të shënojë deri në 39°C, ndërsa të enjten dhe të premten do të arrijë kulmin me vlera maksimale deri në 41°C, veçanërisht në qarqet e Elbasanit, Beratit dhe zonat më të izoluara të këtyre qarqeve,” deklaroi Osmani.
Në vijën bregdetare, temperaturat do të variojnë nga 36 deri në 39°C, ndërsa edhe zonat malore do të përjetojnë rritje të ndjeshme, me maksimumin që pritet të shkojë deri në 35°C.
“Do të jetë një javë e nxehtë, me rritje graduale të temperaturave çdo ditë. Paraditja do të karakterizohet nga kthjellime, ndërsa pasditja mund të sjellë vranësira të lehta, kryesisht në lindje të vendit,” shtoi ai.
Për fundjavën parashikohet një ndryshim i lehtë i motit. Vranësirat dhe lagështia në ajër do të shtohen, duke rritur mundësinë për reshje të izoluara shiu të dielën, kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në ato lindore.
“E njëjta situatë pritet edhe në vendet e rajonit, ku temperaturat do të mbeten të larta dhe moti kryesisht i qëndrueshëm,” përfundoi Osmani.