Çmimet e naftës bruto në tregjet amerikane regjistruan rritjen më të madhe javore në histori, të nxitura nga përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme, situatë e cila ka shkaktuar ndërprerje masive në furnizimet globale me karburant.
Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga CNBC, kontratat e së ardhmes për naftën bruto amerikane (WTI) pësuan një rritje prej 12,21 për qind, duke arritur në 90,90 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tipit Brent u shtrenjtua me 8,52 për qind, duke prekur vlerën prej 92,69 dollarë për fuçi. Tregu po reagon me shqetësim pas kërkesës së Presidentit amerikan Donald Trump për një dorëzim pa kushte të Iranit, lëvizje kjo që ka shtuar frikën për një konflikt të zgjatur që mund të shkaktojë kaos total në tregjet botërore të energjisë. Brenda javës së fundit, nafta bruto amerikane u shtrenjtua me 35,63 për qind, rritja më e lartë që nga fillimi i tregtimit të këtyre kontratave në vitin 1983.
Gjendja e luftës ka sjellë një bllokim thuajse të plotë të transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, rruga kyçe për furnizimin e botës me energji. Ministri i Energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, paralajmëroi përmes një deklarate për “Financial Times” se çmimet mund të arrijnë deri në 150 dollarë për fuçi në javët e ardhshme nëse tankerat nuk mund të kalojnë nëpër këtë ngushticë, duke theksuar se ky skenar mund të rrëzojë ekonomitë botërore. Megjithëse administrata Trump shpalli një program sigurimi prej 20 miliardë dollarësh për tankerat në Gjirin Persik, kjo masë nuk ka arritur të qetësojë tregun. Ndërkohë, goditjet në furnizim po thellohen pasi Iraku njoftoi uljen e prodhimit me 1,5 milionë fuçi në ditë, ndërsa Kuvajti ka filluar gjithashtu reduktimet për shkak të mungesës së hapësirave magazinuese.(INA)

Be First to Comment