Skip to content

Ai shpjegon se kombinimi i të dhënave të sistemit TIMS, përgjimeve telefonike dhe përdorimit të kartave bankare të lidhura me Monika Kryemadhin ka krijuar një bazë të fortë hetimore. Madje Kara rrëzon akuzat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se kemi të bëjmë me “rrëmbim” dhe shkelje të Konventës Europiane, duke theksuar se çdo shkallë gjyqësore ka lënë në fuqi paraburgimin.

Ai rikujton edhe komponentin ekonomik të rëndë të dosjes: vendimin e dhjetorit 2010 për uljen e çmimit të energjisë drejt CEZ, që sipas tij, ka sjellë dëm dhjetëramilionë eurosh në vit. Sipas Karës, rreziku i arratisjes nuk ishte i sajuar, sidomos duke parë lëvizjet ndërkufitare dhe precedentët rajonalë si ai i Gruevskit. Hetimi, thotë ai, shtrihet në pasuri të pashpjegueshme, fonde të qarkulluara përmes ofshorëve dhe lidhje mes përdoruesve formalë e përfituesve realë, duke e tejkaluar figurën e vetme të Metës. “Sekuestroni çdo pasuri të dyshimtë dhe çoni hetimin deri në fund”, apelon Kara, duke paralajmëruar se struktura të tëra politike mund të përballen me pasoja penale.

-Z. Kara, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, zoti Tedi Blushi, e cilësoi arrestimin si “rrëmbim” dhe një shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Madje, tha se mund të ndjekin edhe rrugën drejt Gjykatës së Strasburgut. Ju, si e konsideroni arrestimin e Ilir Metës? A po mbahet ai pa prova?

Konventa Europiane dhe shumë të tjera janë të ratifikuara nga Parlamenti shqiptar dhe përbëjnë pjesë të rëndësishme të kuadrit ligjor, madje prevalojnë mbi Kushtetutën. Të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, nuk e gjetën të drejtë pretendimin e Metës dhe nuk e cilësuan arrestimin si të paligjshëm. Meta ndodhet në paraburgim — një masë e lejuar nga ligji deri në përfundimin e hetimeve dhe fillimin e gjykimit. Prokuroria ka paraqitur fakte, prova dhe argumente të forta për këtë masë. Nuk besoj që të gjithë gjyqtarët në çdo shkallë do të shkelin ligjin, aq më tepër në një sistem që ka qenë mjaft kritik ndaj pushtetarëve.

-Gjithashtu, zoti Blushi tha që në dosjen ndaj Metës nuk ka asnjë provë penale. Ai madje u zotua publikisht: “Nëse ka prova penale, jap dorëheqje nga politika.” Si e komentoni?

Faktet penale janë të qarta. Po ju përmend një: në dhjetor 2010, është marrë një vendim për të ulur çmimin e energjisë elektrike të shitur tek CEZ nga 2.08 lekë në 1.48 lekë për KW. Kjo solli një dëm ekonomik prej mbi 30-35 milionë euro në vit. Kjo është një ngjarje penale me pasoja konkrete. Kemi gjithashtu transaksione financiare me burime të dyshimta, mosdeklarim pasurie dhe përdorim kartash bankare jashtë ligjit. Provat janë atje — kartat, sistemi TIMS, përgjimet telefonike — janë të gjitha fakte të dokumentuara dhe jo trillime të ndonjë prokurori.

-Ndërkohë Blushi deklaroi gjithashtu se SPAK ka krijuar një “narrativë publike” sikur Meta do të arratisej, duke i dhënë kështu justifikim arrestimit. A ekziston rreziku i arratisjes? A është përdorur ky argument në vendimin për arrest?

Nëse do të thoja se SPAK krijoi narrativë, do të duhej të sillja prova. Por fakti që u bë një arrestim i tillë, tregon që ekzistonte rreziku i arratisjes. Meta u kap duke ardhur nga Kosova. Nëse dikush lëviz drejt veriut të Kosovës, mund të përfundojë në Serbi, më tej në Hungari — e dimë rastin e ish-kryeministrit Gruevski. Nëse SPAK ka pasur informacion për një lëvizje të tillë, është në të drejtën e tij të veprojë për të parandaluar arratisjen. Kjo është pjesë e legjislacionit procedurial penal. Nëse kishte komunikime telefonike të interceptuara që sugjeronin këtë mundësi, atëherë ky veprim është i drejtë.

-Por a është e mundur që Meta të ketë marrë garanci nga Hungaria për azil apo mbrojtje?

Nuk ka prova për këtë. Mbetet spekulim. Nuk besoj që ndonjë vend i BE-së do t’i ofronte mbrojtje një personi me tre akuza të rënda, përfshirë pastrim parash. Nuk ka vend për “përralla verore me Nastradinin”.

-Një nga provat që SPAK përmend është përdorimi i kartave bankare nga Monika Kryemadhi. Blushi tha që Meta nuk ka patur dijeni dhe se divorci me Kryemadhin është bërë pikërisht për këtë arsye. A e implikon kjo Metën?

Nëse Meta ka përfituar nga përdorimi i atyre kartave, atëherë ai do të mbajë përgjegjësi penale. Nëse ai ka ditur dhe nuk ka kallëzuar, kjo përbën moskallëzim të veprës penale. Tani, të thuash që ai s’dinte gjë, kur bashkëjetonte me të njëjtën grua për dekada, është e pabesueshme. S’është çështje divorci — është çështje përgjegjësie për veprimet e kryera në përfitim personal.

-Pra, ju thoni që do të jetë e vështirë për Metën të provojë që nuk ka qenë në dijeni?

Absolutisht. Gjykata do të shqyrtojë lëvizjet financiare, burimin e kartave, lidhjen mes përdoruesit dhe përfituesit. Kjo nuk është çështje morali apo familje, por hetim penal. Dhe nëse pasuria është shtuar në mënyrë të pashpjegueshme, atëherë ajo pasuri do të sekuestrohet. Madje duhet sekuestruar çdo pasuri e dyshimtë dhe t’i jepet fund kësaj maskarade.

-Ju përmendët pasuritë dhe ofshorët. A janë këto pjesë e hetimit?

Po. Pjesë e hetimit janë edhe transfertat në kompani ofshore dhe identifikimi i përfituesve përfundimtarë. Edhe vetë kryeministri Rama në një moment paralajmëroi ministrat për përdorimin e kartave të të tjerëve. Sistemi është zbërthyer. Karta që është përdorur nga Monika, ka çuar tek përfituesi final — dhe ky, sipas hetimit, është vetë Meta apo familja e tij.

-Pra, sipas jush, ky është një hetim i thellë dhe nuk duhet ndalur?

Jo vetëm që nuk duhet ndalur, por duhet zgjeruar. Kjo nuk është vetëm për Metën. Ka të tjerë — nga LSI, nga qeveria — që duhet të hetohen. Një pjesë e strukturës së LSI-së ka funksionuar si grup i organizuar kriminal. Kemi prova, fakte, pasuri të pajustifikuara. Ka ardhur koha që drejtësia të mos ndalet më.

Published inUncategorized