Në një status të ndarë në rrjetin e tij social “Facebook”, Nesho shkruan se kontrolli mbi Gjykatën Kushtetuese është një objektiv kyç i çdo regjimi autokratik, i përdorur për të justifikuar vendime të paligjshme, për të fshehur korrupsionin dhe për të bllokuar funksionimin e shtetit të së drejtës. “Kapja e sistemit të drejtësisë është një nga qëllimet kryesore të sistemeve autokratike, ashtu siç po veprohet në Shqipëri.
Goditja, kontrolli dhe kapja e Gjykatës Kushtetuese është një nga objektivat kryesore të regjimeve, që sipas analistëve politikë amerikanë, synohet për të legjitimuar vendimet e paligjshme, për të fshehur korrupsionin dhe për të pamundësuar funksionimin e shtetit të së drejtës. Rreziku ndaj korporatizmit të drejtësisë është theksuar qartë në Raportin e Komisionit Europian për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Ndërhyrjet në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese nga institucionet më të larta të shtetit, që dëshmojnë një përulje dhe përdorim të saj nga ata që duan të kontrollojnë gjithçka, tregojnë se sa e rëndë është situata në kapjen e institucioneve më të larta të drejtësisë në Shqipëri. Çështja e pavarësisë së drejtësisë, sidomos e paprekshmërisë së veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të saj, është një nga temat kryesore ku demokracia amerikane po përqendron vëmendjen në Shqipëri.
Evidentimi i fakteve në Kongresin Amerikan për keqpërdorimin e fondeve amerikane në drejtësinë shqiptare, me qëllim që t’i jepet përparësi një force ideologjike për të konsoliduar pushtetin dhe për të përdorur drejtësinë si një armë politike kundër kundërshtarëve, ka krijuar një imazh jashtëzakonisht negativ për Shqipërinë në opinionin publik amerikan. Kjo çështje sapo ka filluar. Shtypi amerikan po ndjek me vëmendje se pse dhe si janë shpërdoruar fondet e dhëna nga taksapaguesit amerikanë për një drejtësi të kapur. Pyetja që shtrohet është: A do të jenë në gjendje ato personalitete shtetërore që “luftojnë” për imazhin e mirë të Shqipërisë, të përballojnë opinionin publik botëror dhe shtypin ndërkombëtar, kur bëhen vegla të instrumentalizuara për të kapur drejtësinë”, shkroi dje Nesho.