Një vajzë 22-vjeçare, e cila kishte ardhur nga Gjermania në Shkup, ka përjetuar një tmerr dhjetëditor. Një 25-vjeçar nga Shkupi, me të cilin ishte njohur paraprakisht, e ka mbyllur atë në shtëpinë e tij, e ka rrahur, e ka përdhunuar dhe ia ka marrë telefonin.
Dhënësi i dhunës është arrestuar, ndërsa rastin e ka denoncuar nëna e vajzës, pasi pas dhjetë ditëve të mundimshme, ajo ka arritur t’i telefonojë dhe të kërkojë ndihmë, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
”Më datë 05.03.2026, në ora 16:55 në Shkup, në zonën e Gazi Babës, zyrtarë policorë nga SPB Shkup kanë privuar nga liria E.A. (25) nga rrethina e Shkupit, pas një denoncimi paraprak se më datë 23.02.2026, në shtëpinë e tij, ka sulmuar fizikisht një grua 22-vjeçare me të cilën ishin njohur më parë.
Ajo kishte ardhur nga Gjermania dhe ai ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, ka drejtuar kërcënime, si dhe gjatë periudhës që ajo qëndroi në shtëpinë e tij, nuk e ka lejuar të dalë vetëm dhe ia ka marrë telefonin celular. Më datë 04.03.2026, ajo ka arritur t’i telefonojë nënës së saj, e cila ka njoftuar policinë. Policia ka mbërritur në adresën e treguar dhe pas vlerësimit të rrezikut ka ndërhyrë”, njoftoi MPB.
Është njoftuar edhe Prokurori Publik dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet kallëzim penal përkatës me procedurë të shpejtë.

Be First to Comment