Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Itali. Një 17-vjeçar nga Roma ka humbur jetën në mënyrë të dhimbshme në plazhin publik të Montalto di Castro, në rajonin e Lacios, pasi u mbulua nga rëra në një gropë që kishte hapur vetë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 10 korrikut, pranë zonës turistike të “Camping California”.
Sipas mediave italiane, i riu ndodhej në plazh me familjen dhe po argëtohej me vëllezërit më të vegjël duke gërmuar një gropë rreth 1.5 metra të thellë në rërë. Pasi fëmijët e tjerë u larguan, ai mbeti brenda gropës. Në një moment, muret e gropës u shembën, duke e mbuluar tërësisht.
Babai i tij, që po pushonte nën një çadër aty pranë, nuk e kuptoi menjëherë çfarë kishte ndodhur. Vetëm kur vuri re mungesën e të birit dhe dëgjoi alarmimin e fëmijëve të tjerë, ai filloi kërkimet. Në panik, pushuesit nisën të gërmonin me duar në vendin ku mendohej se ndodhej djali.
Përpjekjet e dëshpëruara për ta shpëtuar përfunduan kur ai u nxor pas rreth 40 minutash nën rërë. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, mjekët e urgjencës dhe një helikopter, por fatkeqësisht, mjekët konstatuan se i riu kishte ndërruar jetë.