Një zbulim i jashtëzakonshëm në Bulqizë po tërheq vëmendjen e botës shkencore dhe mediave ndërkombëtare. Prestigjiozja National Geographic i ka kushtuar një artikull të posaçëm Shqipërisë, duke e cilësuar minierën e Bulqizës si një nga zonat me potencial të madh për gaz hidrogjeni natyror, një burim energjie i pastër që mund të transformojë të ardhmen e planetit.
Sipas studimeve të publikuara edhe në revistën Science, shkencëtarët kanë zbuluar se në thellësitë e minierës së kromit në Bulqizë çlirohen sasi të mëdha hidrogjeni të pastër, ku rreth 84% e gazit të zbuluar është hidrogjen. Vlerësohet se vetëm kjo minierë lëshon të paktën 200 ton hidrogjen në vit, ndërsa rezervat totale mund të arrijnë deri në dhjetëra mijëra tonë.
“Gazi ishte jashtëzakonisht intensiv”, shprehet Bardhyl Muceku, gjeolog i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe bashkautor i studimit, duke shtuar se shpërthimet e ndodhura ndër vite në minierë lidhen pikërisht me çlirimin e këtij gazi.
Hidrogjeni konsiderohet energjia e së ardhmes:
digjet pa ndotje dhe prodhon vetëm ujë
mund të përdoret për prodhim energjie elektrike
është alternativë reale ndaj karburanteve fosile
Ekspertët theksojnë se Bulqiza mund të jetë vetëm maja e ajsbergut, pasi depozita të ngjashme mund të jenë “të burgosura” nën tokë edhe në zona të tjera të botës.
Ky zbulim e vendos Shqipërinë në hartën globale të kërkimeve për energji të pastër dhe hap diskutime serioze mbi rolin që vendi ynë mund të luajë në tranzicionin energjetik të së ardhmes.
Mendoni se Shqipëria po ulet mbi një pasuri që ende nuk e ka shfrytëzuar siç duhet?

Be First to Comment