Në agjendën e vizitës përfshihen takime me drejtuesit më të lartë të shtetit: Presidentin Rumen Radev, Kryeministrin Rossen Jeliazkov dhe Kryetaren e Parlamentit.
Në ditën e parë të vizitës, Spiropali u prit nga Kryeministri Jeliazkov, me të cilin ndanë vlerësime për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë janë të shkëlqyera në të gjitha nivelet, të bazuara në miqësinë tradicionale dhe lidhjet historike, kulturore e njerëzore mes dy popujve,” tha Kryetarja e Kuvendit.
Ajo theksoi mbështetjen e palëkundur të Bullgarisë për integrimin europian të Shqipërisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me procesin e anëtarësimit në NATO. Po ashtu, Spiropali nënvizoi rëndësinë e Samitit të Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Tiranë më 16 maj, si dëshmi e rolit gjithnjë e më aktiv të Shqipërisë në nxitjen e paqes dhe sigurisë në Europë.
Në fokus të bisedës ishin edhe bashkëpunimi ekonomik dhe rajonal, me Spiropalin që përmendi mundësitë konkrete në sektorë si infrastruktura, energjia dhe turizmi. Ajo veçoi ndërtimin e Korridorit VIII si një projekt strategjik që do të forcojë ndërlidhjen dhe integrimin e rajonit.
Nga ana e tij, Kryeministri bullgar Jeliazkov vlerësoi partneritetin mes dy vendeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Sofjes për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e përbashkët për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Vizita e Kryetares Spiropali vijon nesër me takimet e planifikuara në Presidencë dhe Parlamentin bullgar.