Skip to content

 

Fjalët “S’po muj ma… oj nanë!” (“Nuk mundem më… oj nënë!”), të cilat Agon Zejnullahu i ka thënë mes dhimbjesh gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, janë bërë një simbol i fuqishëm i kërkesës për drejtësi në këtë rast. Vëllai i tij, Albani, ka ndarë me publikun lotët dhe dhimbjen e pamasë kur ai dhe babai shkuan në spital dhe zbuluan se Agoni kishte ndërruar jetë. “Nuk mundesha me e tërhekë babin… ‘ki me u çu’ ja bojke”, ka rrëfyer Albani, duke përshkruar shkatërrimin emocional të familjes.

 

Për herë të parë, në emisionin “Pressing” në T7 u transmetua një video tronditëse që tregon momentet e ndërhyrjes së policisë ndaj Agon Zejnullahut. Familjarët dhe avokati i tyre, Asdren Hoxha, e kanë cilësuar videon si provë materiale kyçe, e cila do të përdoret në procesin gjyqësor. Hoxha ka deklaruar se rasti përbën vrasje nga pakujdesia, duke theksuar se bëhet fjalë për pakujdesi të vetëdijshme.

Ndërkohë, Instituti për Mjekësinë Ligjore (IML) ka reaguar pas raporteve se Agon Zejnullahut nuk i ishte kryer autopsia. IML ka njoftuar se autopsia është kryer dje nga një ekip i udhëhequr nga eksperti mjeko-ligjor kujdestar, me pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë. Instituti ka shtuar se po bëhen përpjekje maksimale për të nxjerrë sa më shpejt rezultatet e autopsisë, duke përfshirë analizat histopatologjike dhe toksikologjike.

Kjo ngjarje e rëndë ka nxjerrë në rrugë qindra qytetarë në protesta, të cilët kërkojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe drejtësi për Agon Zejnullahun. Pyetja nëse vdekja e tij mund të ishte shmangur dhe nëse dikush mban përgjegjësi për këtë tragjedi vazhdon të jetë e pranishme në opinionin publik. Çështja tani ndodhet në duart e drejtësisë, ndërsa lotët dhe kërkesa e fundit e Agonit për ndihmë mbeten si një plagë e hapur në zemrat e shumëkujt.

Published inUncategorized