Skip to content

Ndërsa merrte pjesë në një konferencë në Jerusalem, Netanyahu tha: “Nuk ka politikë urie në Gaza dhe nuk ka uri në Gaza”.

Ai shtoi se Izraeli ka lejuar sasinë e ndihmës që kërkohet nga ligji ndërkombëtar dhe pretendoi se Hamasi po e vjedh këtë ndihmë humanitare dhe më pas po e akuzon Izraelin se nuk e ofron atë.

Netanyahu foli dje në një konferencë të udhëhequr nga këshilltarja e presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe pastorja e njohur ungjillore Paula White, sipas Times of Israel.

Këto pretendime e vënë atë në konflikt të drejtpërdrejtë me paralajmërimet e organizatave humanitare, të cilat theksojnë se uria dhe kequshqyerja në Gaza kanë arritur përmasa kritike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se kequshqyerja është në një “trajektore të rrezikshme” në Rripin e Gazës, me 63 vdekje të lidhura me kequshqyerjen të regjistruara në korrik.

Sipas Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), afërsisht një në pesë fëmijë të vegjël në Gaza është i kequshqyer në mënyrë akute.

OKB thotë se kriza e urisë është “plotësisht e parandalueshme” dhe akuzon Izraelin për “bllokim dhe vonim të qëllimshëm të mbërritjes masive të ushqimit, ndihmës mjekësore dhe humanitare”. /Telegrafi/

Published inUncategorized