Pamjet filmike nga gjykata tregojnë nënë e bijë të qeta dhe pa shenja pendese për krimin e kryer, gjë që ka nxitur reagime të forta në opinionin publik.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se mes Ermelinda Ramës dhe Çlirim Doganit ka pasur një marrëdhënie intime që nuk miratohej nga babai i saj. Konfliktet e vazhdueshme në familje për këtë lidhje dyshohet se kanë çuar në përshkallëzimin e tensioneve dhe mbytjen e babait nga e bija me tel.
Ermelinda punonte sezonalisht në serat bujqësore në zonën e Sukut në Roskovec, ku dyshohet se është njohur me Doganin, një burrë i martuar dhe baba i disa fëmijëve. Sipas të dhënave të deritanishme, ekzekutimi i të atit dyshohet se është kryer nga vetë Ermelinda me ndihmën e Doganit.
Ky i fundit, në dëshminë e dhënë para hetuesve, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje, duke pretenduar se ndodhej në një tjetër fshat në momentin e krimit. Megjithatë, policia është ende duke verifikuar alibitë dhe hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes janë në vijim.