Në zonën e murit antik të zbuluar rishtazi arkeologët kanë evidentuar një skelet njeriu, i cili sipas vlerësimeve paraprake i përket një mashkulli të ri. Ajo që ka ngjallur interes të veçantë është pozicioni i skeletit: trupi ndodhet në pjesën e brendshme të murit, ndërsa këmbët shtrihen jashtë tij, një detaj i pazakontë që mund të hedhë dritë mbi praktikat ndërtimore ose ngjarje të pazbuluara historike të periudhës antike.
Në të njëjtin sektor është gjetur gjithashtu edhe skeleti i një kafshe, që mendohet të jetë një kalë, duke shtuar kompleksitetin e zbulimit.
“Përveç murit të zbuluar janë gjetur në të edhe dy skelete, një skelet kafshe dhe një tjetër njeriu që është vendosur përgjatë gjatësisë së murit, mendohet se ky fragment muri i përket antikitetit të vonë, për skeletin nuk është akoma e sigurtë se cilës periudhe mund ti përkasi por mendohet se mund të jetë i antikitetit të vonë”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.
Eshtrat do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme laboratorike për të përcaktuar me saktësi periudhën dhe rrethanat e varrimit.
“Është një dukuri të cilën e hasim shpesh gjatë antikitetit të vonë, varrosjen në zona të cilat mund të kenë qenë të rrënuara më parë ose i kanë hapur vetë dhe i kanë varrosur njerëzit aty brenda”, shtoi arkeologia.
Kërkimet arkeologjike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës në pika të ndryshme të kalasë së Gjirokastrës për të dokumentuar më tej historikun e këtij monumenti të rëndësishëm.