Sipas dëshmitarëve okularë, sulmi ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të Ksamilit, dhe agresori, një shtetas i njohur për lidhje me botën e krimit dhe aktivitetet e dyshimta, ka vepruar i sigurt në paprekshmërinë që i garanton mbështetja e policisë lokale. Viktima ka mbetur i plagosur dhe i tronditur, ndërsa dhunuesi nuk është shoqëruar apo ndaluar nga uniformat blu.
Ky nuk është rasti i parë që ky shtetas ushtron dhunë në publik. Banorë dhe të afërm të viktimës pretendojnë se ai është “nën mbrojtje të policisë së Sarandës” dhe për vite me radhë ka operuar i paprekur nga ligji, pavarësisht veprave të rënda që i atribuohen.
Ngjarja ngre pikëpyetje të mëdha për rolin e Policisë së Shtetit në zonat turistike dhe për ndarjen gjithnjë e më të paqartë mes ligjzbatimit dhe mbrojtjes së elementëve të botës së krimit. Përballë dhunës së hapur, institucionet zgjedhin të heshtin, ndërsa drejtësia zhduket nën hijen e favoreve politike dhe lidhjeve korruptive.
A është kjo Shqipëria e turizmit elitar? Apo një fasadë që fsheh një realitet të errët, ku pushteti i krimit është më i fortë se ligji?