Skip to content

Ahmetoviq deklaroi se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është mënyra e vetme për të garantuar paqe dhe siguri afatgjatë në rajon.

“Ne duhet ta monitorojmë situatën në Ballkanin Perëndimor çdo ditë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Politika për këtë rajon nuk duhet të kufizohet vetëm në promovimin ekonomik, por duhet të mbetet pjesë integrale e agjendës sonë të politikës së jashtme. Po ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Ne jemi të interesuar për stabilitet politik”, deklaroi Ahmetoviq.

Ai shtoi “Për Kosovën kjo nënkupton në mënyrë të veçantë që duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur; nga këndvështrimi i SPD-së, sa më shpejt, aq më mirë”

Megjithëse nuk dha një datë konkrete se kur Gjermania do ta trajtojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Ahmetoviq dhe kolegu i tij Frank Schwabe janë të përkushtuar që kjo çështje të mbetet prioritet për SPD-në në Bundestag.

I pyetur për përgjegjësinë politike për këtë dështim, Ahmetoviq theksoi se qeveria gjermane është dashur të angazhohej më shumë për të bindur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, duke nënvizuar se Gjermania ka ndikim të madh.

Zyrtari i SPD-së shtoi se, përveç anëtarësimit në BE, anëtarësimi në NATO mbetet po ashtu prioritet për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Anëtarësimi në NATO është të paktën po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja, si BE-ja ashtu edhe NATO-ja, janë thelbësore për një jetë në paqe, liri dhe siguri. Nuk mund ta vlerësoj saktësisht kur do të ndodhë kjo, por si deputet i SPD-së, do të vazhdoj të luftoj për këtë çështje,” tha ai për Deutsche Welle.

Ai theksoi se Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të përmbushin detyrimet e tyre për të përparuar në këtë proces.

Ahmetoviq komentoi edhe situatën politike në Kosovë, ku Kuvendi ka dështuar të konstituohet pas gati 50 përpjekjesh.

Ai e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si parti motër të SPD-së dhe theksoi nevojën për një qeveri stabile dhe një parlament funksional, pa komentuar drejtpërdrejt bllokadën në vazhdim.

“Kam kontakte të ngushta me qeverinë e Kosovës. Duam veprim qeveritar të qëndrueshëm dhe një parlament funksional. Kjo është thelbësore për të gjitha hapat pasues. Vetëm nëse kjo vazhdon të funksionojë, Kosova do të mund të avancojë në Këshillin e Evropës, në procesin e anëtarësimit në BE dhe ndoshta së shpejti edhe në NATO. Këto procese janë të ndërlidhura ngushtë,” përfundoi ai./DW/

Published inUncategorized