Ushtrimet të koduara “Peacekeeper 2025” do të zhvillohen në provincën Hebei të Kinës veriore, në pjesën e dytë të korrikut, me pjesëmarrjen e njësive speciale nga të dy ushtritë.
Ky bashkëpunim ushtarak shihet si një thellim i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve, në një kohë kur Ballkani po fiton rëndësi strategjike për Kinën. Pekini ka investuar në projekte të mëdha infrastrukturore në Serbi dhe ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Beogradin. Në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë europian që bleu sistemin kinez të mbrojtjes ajrore FK-3.
Ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim në Bruksel. Bashkimi Evropian kërkon që Serbia, si vend kandidat, të respektojë politikën e përbashkët të jashtme të unionit. Një zëdhënës i BE-së deklaroi për RFE/RL se “Serbia duhet të na sigurojë për orientimin e saj strategjik dhe të shmangë veprime që bien ndesh me pozicionet e politikës së jashtme të BE-së.”
Pavarësisht kësaj, Serbia e mban veten neutrale ushtarakisht dhe është pjesë e programit të NATO-s “Partnership for Peace”, ndërsa integrimi në BE vazhdon të jetë objektiv strategjik i saj.
Analistët thonë se Beogradi po vazhdon politikën e tij të balancimit mes Perëndimit, Kinës dhe Rusisë. Analisti i sigurisë Nikola Lunic paralajmëron se këto ushtrime “minojnë orientimin e deklaruar të Serbisë drejt BE-së”, duke dërguar një mesazh të qartë tek Perëndimi për afrimin me Pekinin.
Në vitin 2024, Kina zhvilloi ushtrime të ngjashme ushtarake me Bjellorusinë, pikërisht pranë kufirit të NATO-s, gjatë një samiti të aleancës ku Pekini u kritikua për mbështetjen ndaj Rusisë. Serbia nuk ka zbuluar detaje mbi numrin e pjesëmarrësve në stërvitjen “Peacekeeper 2025”, ndërsa mbetet e paqartë nëse ushtrime të ngjashme do të zhvillohen edhe në territorin serb në të ardhmen.
Marrëdhëniet ushtarake mes Serbisë dhe Kinës janë forcuar edhe përmes blerjeve të armatimeve. Në vitin 2020, Serbia bleu gjashtë dronë CH-92A, ndërsa në 2023 ekspozoi edhe modelin CH-95. Në 2022 mori sistemin FK-3, duke u bërë e para në Evropë që operon këtë teknologji kineze të mbrojtjes ajrore.
Në fund të vitit 2024, Beogradi konfirmoi se ushtarakët serbë ishin trajnuar në Kinë për përdorimin e këtij sistemi.
Që prej vitit 2019, Serbia dhe Kina kanë zhvilluar edhe patrullime të përbashkëta policore dhe shkëmbime në fushën e arsimit të sigurisë dhe teknologjisë së mbikëqyrjes. Ekspertët thonë se kjo përputhet me politikën e jashtme “multivektoriale” të Serbisë, e cila kërkon të ruajë marrëdhënie të mira me aktorë të ndryshëm globalë për të rritur pavarësinë e saj në skenën ndërkombëtare.
Për Kinën, stërvitje si “Peacekeeper 2025” janë pjesë e strategjisë së saj për të fituar eksperiencë ndërkombëtare dhe për të forcuar profilin si fuqi globale. Pas manovrave të përbashkëta me Gjermaninë në 2019 dhe me Bjellorusinë në 2024, ushtrimet me Serbinë shënojnë një hap të ri në diplomacinë ushtarake të Pekinit në Evropë.
Nga ana tjetër, ndikimi ekonomik i Kinës në Serbi vazhdon të rritet. Në maj 2024, vizita e Presidentit Xi Jinping në Beograd përfundoi me deklarata për forcimin e partneritetit strategjik dhe krijimin e një “komuniteti me një të ardhme të përbashkët”.
Kina është tashmë partneri më i madh tregtar i Serbisë për importet, me një volum prej mbi 5 miliardë eurosh në vitin 2024, dhe mbetet një burim kyç investimesh dhe mbështetjeje diplomatike për Beogradin, sidomos në çështjen e Kosovës.