Në një rrëfim të mbushur me emocion dhe dhimbje të thellë, Alkida Llakaj – vajza e aktorit të njohur të humorit Agron Llakaj – ndau për herë të parë në emisionin Top Story përjetimin e familjes së saj që nga momenti i marrjes së lajmit për sëmundjen fatale të nënës, e deri në ditët e sotme, kur vuajtja është ende e freskët.
E ndrojtur për të folur publikisht, Alkida rrëfeu se kishte hezituar të pranonte ftesën për të qenë pjesë e panelit, pasi emocionalisht ndjehej e thyer. “Unë nuk isha e fortë për të folur për babin, sepse ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me mamin. Në çdo kujtim, në çdo imazh, në çdo pjesë të jetës sime, ata janë bashkë. Dhe ashtu dua të mbeten – të pandarë, në zemrën time.”
Ajo tha se humbja e nënës ka qenë një traumë e jashtëzakonshme për të gjithë familjen, veçanërisht për babain e saj, Agron Llakaj. Sipas saj, që prej asaj dite, ai nuk ka munguar asnjë ditë për të vizituar vendin ku ajo prehet. “Postimet e babait nuk janë për efekt mediatik. Janë dhimbje e vërtetë. Çdo mëngjes, ai merr një tufë me lule dhe shkon atje. Kur është jashtë Tiranës, më thotë mua: ‘Alkida, shko te mami.’ E bëj gjithmonë, edhe kur nuk ma thotë.”
Alkida zbuloi gjithashtu se tre vitet e fundit kanë qenë një periudhë e errët për ta – një sfidë e përditshme me boshllëkun, kujtimet dhe dhimbjen që nuk largohet. “Është si të jetosh në një humnerë pa fund. E kemi humbur boshtin e shtëpisë sonë. Dhe kjo nuk është klishe. Mamaja ishte drita, ritmi, kujdesi, ngrohtësia… Ishte gjithçka.”
Por ajo që e ka prekur më shumë Alkidën, është dimensioni i thellë njerëzor i të atit, i cili, përtej figurës publike si aktor, ka treguar një përkushtim të rrallë si bashkëshort. “Kam parë tek babai një dashuri që nuk shuhet me ikjen fizike. E kam parë të bjerë në gjunjë pranë varrit të saj, ta përqafojë si të ishte aty, ta thërrasë me zë të ulët, si të ishte vetëm në dhomë me të.”