Deti i Kuq/Sanaa, Jemen – Detaje të reja tragjike kanë dalë në dritë pas sulmit të rebelëve Huthi të Jemenit ndaj anijes së mallrave me flamur liberian dhe në operim grek, Eternity C, në Detin e Kuq. Sipas agjencisë së Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), nga 25 anëtarët e ekuipazhit, gjashtë prej tyre janë shpëtuar, ndërsa të paktën tre të tjerë kanë humbur jetën.
Anija Eternity C pësoi dëme të konsiderueshme dhe humbi të gjitha sistemet pas goditjes me raketa nga rebelët Huthi. Ambasada amerikane në Jemen ka lëshuar një akuzë të rëndë, duke deklaruar se Huthitët kanë “rrëmbyer shumë anëtarë të mbijetuar të ekuipazhit” dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.
Kjo tragjedi shënon anijen e dytë që Huthit fundosin brenda një jave. Më parë, grupi rebel sulmoi të dielën një tjetër anije mallrash me flamur liberian dhe të operuar nga grekët, Magic Seas. Kjo anije u godit me raketa dhe dronë, dhe Huthit pretenduan se ajo i përkiste një kompanie që kishte shkelur ndalimin e hyrjes në portet e Palestinës së pushtuar. Fatmirësisht, të 22 anëtarët e ekuipazhit të Magic Seas u shpëtuan shëndoshë e mirë nga një anije tregtare që po kalonte pranë vendit të sulmit.
Sulmet e njëpasnjëshme ndaj transportit detar ndërkombëtar në Detin e Kuq nga rebelët Huthi po rrisin shqetësimin global për sigurinë e lundrimit në këtë zonë strategjike. Akuza e fundit për rrëmbim nga ana e Ambasadës amerikane e komplikon edhe më tej situatën dhe mund të ketë pasoja të rënda në përpjekjet diplomatike për të stabilizuar rajonin.